Konsumimi i shpeshtë i patateve, veçanërisht në formë të skuqur, mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e diabetit të tipit 2, sipas një studimi të publikuar në “The BMJ”, që përfshiu më shumë se 205,000 persona në SHBA gjatë më shumë se 30 viteve.
Studimi tregoi se personat që konsumonin patate të skuqura tre herë në javë kishin një rrezik 20% më të lartë për të zhvilluar diabetin e tipit 2. Nëse porcionet javore arrinin në shtatë, rreziku rritej në 27%. Nga ana tjetër, konsumimi i patateve të ziera, të pjekura ose të shtypura nuk lidhej me rritje të konsiderueshme të rrezikut, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se nuk është vetëm çfarë hamë që ka rëndësi, por edhe mënyra e përgatitjes dhe çfarë ushqimesh zëvendësojmë.
Patatet janë të pasura me fibra, kalium dhe vitaminë C, por përmbajnë edhe shumë niseshte që shndërrohet në glukozë. Kur përgatiten në formë të përpunuar, si patate të skuqura, ato shndërrohen në ushqime ultra-të përpunuara me ndikim negativ për shëndetin.
Përveç kësaj, pjesëmarrësit që konsumonin më shumë patate kishin tendencë të ishin më pak aktivë fizikisht dhe të kishin dieta më pak të shëndetshme. Edhe pse studiuesit morën parasysh këta faktorë, ata nuk mund të përjashtojnë plotësisht ndikimin e mënyrës së jetesës.
Sipas ekspertëve, mesazhi kryesor është i qartë: parandalimi i diabetit të tipit 2 fillon me stil jete dhe ushqyerje të shëndetshme, duke shmangur ushqimet e skuqura dhe të përpunuara.