Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj kërkesës së deputetit Enver Hoxhaj për shtyrjen e Konventës së Jashtëzakonshme, në të cilën pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha për Nacionale se thirrja e konventës është bërë në përputhje të plotë me nenin 35 të Statutit të PDK-së.
Sipas saj, pas dorëheqjes së kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia është e obliguar që ta mbajë konventën brenda pesë ditësh, ashtu siç e parasheh statuti.
“Konventa e Jashtëzakonshme është thirrur bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, i cili e përcakton qartë afatin prej pesë ditësh. Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar që i plotëson kriteret statutare është i mirëseardhur të kandidojë”, ka deklaruar Çitaku, duke shtuar se një garë e hapur do ta bënte konventën “edhe më madhështore”.
Ajo theksoi se pavarësisht debatit të brendshëm, qëllimi kryesor i PDK-së mbetet fitorja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe unifikimi i partisë.
Hoxhaj kërkon shtyrjen e konventës
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar që konventa e planifikuar për të hënën të shtyhet të paktën deri të dielën e ardhshme. Sipas tij, një parti serioze nuk mund të organizojë një ngjarje të tillë të rëndësishme politike në një kohë kaq të shkurtër.
“Nuk mund të ketë konventë cilësore dhe përmbajtjesore me kaq pak kohë përgatitjeje. Shtyrja do t’u jepte mundësinë delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, duke shtuar se më shumë kandidatura do të rrisnin cilësinë e garës.
Ai nuk ka zbuluar nëse do të kandidojë vetë për kryetar, por ka insistuar se procesi nuk duhet të orientohet dhe se partia ka nevojë për “drejtim dhe vizion të ri”.
“Kjo nguti nuk garanton garë të drejtë dhe as unitetin e nevojshëm për PDK-në. Jam kundër çdo imponimi dhe çdo skeme që anashkalon bazën”, ka shkruar ai.
Konventa e PDK-së pritet të mbahen ditën e hënë, nëse nuk ka vendim për shtyrje nga kryesia.

