Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) ka publikuar të dhënat më të fundit për gjendjen në pikat kufitare të Kosovës, ku vihet re një rritje e fluksit të mërgimtarëve që po kthehen në vend për pushimet verore.
Sipas njoftimit, te pika kufitare Dheu i Bardhë është raportuar një kolonë deri në 80 metra në hyrje për në Kosovë. Koha e pritjes për të hyrë në këtë pikë kufitare është 20 deri në 25 minuta, ndërsa dalja nga Kosova nga e njëjta pikë kërkon deri në 15 minuta pritje.
Ndërkohë, në pikat tjera kufitare të vendit qarkullimi është më i lirë dhe pritjet janë minimale, sipas QKMK-së.
Autoritetet vazhdojnë të bëjnë apel për shfrytëzimin e alternativave të tjera kufitare dhe për informim të rregullt përmes platformave zyrtare, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata gjatë sezonit të kthimit të mërgimtarëve.