Fëmijët që fillojnë të përdorin smartfonë para moshës 13-vjeç janë më të rrezikuar nga mendimet vetëvrasëse, ndjenja e ulët e vetëvlerësimit, agresiviteti dhe shkëputja nga realiteti, sipas një studimi global të publikuar në revistën “Journal of Human Development and Capabilities”.
Studimi, që përfshiu të dhëna vetë-raportuese nga 100,000 të rinj të moshës 18–24 vjeç, tregon se sa më herët një fëmijë të ketë pasur akses në një telefon të mençur, aq më të theksuara janë ndikimet negative në shëndetin mendor.
Sipas të dhënave, fëmijët që kanë pasur smartfonë në moshën 5-vjeçare raportojnë nivele dukshëm më të ulëta të mirëqenies mendore në krahasim me ata që i kanë përdorur pas moshës 13-vjeç.
Ndikimi negativ ishte më i madh te vajzat, ku 9.5% e tyre janë klasifikuar si “në vështirësi”, krahasuar me 7% të djemve. Po ashtu, përdorimi i hershëm lidhet me prishje të gjumit, ngacmime kibernetike dhe tensione në marrëdhëniet familjare.
Autorja kryesore e studimit, Dr. Tara Thiagarajan, ka bërë thirrje për ndalimin e përdorimit të smartfonëve nga fëmijët nën 13-vjeç, duke sugjeruar që ata të rregullohen njësoj si produktet e rrezikshme si duhani dhe alkooli. Ajo kërkon gjithashtu kufizime për rrjetet sociale, edukim në literacinë digjitale dhe më shumë përgjegjësi nga kompanitë teknologjike.
Disa vende në Evropë kanë nisur ndërkohë ndalime të pjesshme ose të plota për përdorimin e telefonave në shkolla, ndërsa shqyrtohen edhe kufizime për aksesin në rrjetet sociale për të miturit nën moshën 15-vjeç.
Këto masa mbështeten nga legjislacioni i BE-së që synon mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në internet.