Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i shtypjes së fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Fletëvotimet janë shtypur në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë “Cetis” në Celje të Sllovenisë, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit. Sipas njoftimit, ato pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditës së sotme.
“Gjithashtu janë shtypur edhe broshurat e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale 2025, të cilat do të shpërndahen në vendvotime ditën e zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.
Në bazë të vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe Kuvendet Komunale janë prodhuar gjithsej 3,600,820 fletëvotime – nga të cilat 1,800,410 për secilën kategori zgjedhore. Ky numër përfshin fletëvotimet për votimin e rregullt, votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, për votimin me postë dhe për rezervat.
KQZ ka sqaruar se këtë vit janë shtypur 13% më pak fletëvotime në krahasim me numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Sipas Listës Votuese të certifikuar, në zgjedhjet e 12 tetorit kanë të drejtë vote 2,069,098 qytetarë.
Nga ta, 2,025,105 do të votojnë brenda territorit të Kosovës, ndërsa 43,993 janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime – prej të cilave 910 Qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 Qendra me 54 vendvotime për votimin me kusht.