Prishtinë, 17 tetor 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri më sot në mëngjes (e premte, ora 10:00) është përmbyllur procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në 24 komuna të vendit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) janë përfunduar në komunat: Han i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas dhe Vushtrri.
Elezi ka bërë të ditur se deri në këtë fazë janë verifikuar rezultatet për 1,903 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash, si dhe rezultatet për subjektet politike në 1,882 vendvotime për zgjedhjet e Kuvendeve Komunale. Nga po kaq vendvotime, janë numëruar edhe votat e kandidatëve për kuvendet komunale.
“Në total, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, deri tani janë procesuar 3,785”, ka deklaruar Elezi.
Ndërkohë, edhe procesi i votimit përmes postës – që i përket votuesve jashtë Kosovës – është drejt përfundimit.
Sipas Elezit, deri më tani janë vlerësuar mbi 33,000 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar mbi 29,000, ndërsa janë refuzuar rreth 3,900.
“Arsyeja më e shpeshtë e refuzimit, në 3,328 pako, ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit – dokumenti me të dhëna unike që KQZ-ja u dërgon votuesve të regjistruar jashtë vendit,” ka sqaruar Elezi.
Nga të dhënat e KQZ-së, rezulton se nga 23 kuti postare janë tërhequr gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, çka tregon se procesi po hyn në fazën përfundimtare të administrimit.

