Prokuroria Speciale e Kosovës ka publikuar inicialet e 21 serbëve, të cilët kjo prokurori i akuzon për dëbimin e mbi 860 mijë shqiptarëve gjatë luftës së fundit nga shtëpitë e tyre.
Sipas aktakuzës, gjatë kësaj periudhe, të pandehurit kanë qenë në dijeni se forcat nën komandën e tyre po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar që përfshijnë: shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpi8ve, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës.
Njoftimi i plotë:
AKTAKUZË NË MUNGESË NDAJ 21 PERSONAVE
Prishtinë, 15 Gusht 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave për veprën penale “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile”.
21 të pandehurit Z.P, M.C, R.M, D.A, O.S, Ž.T, G.R, B.J, S.I, B.V, S.P, N.P, K.J, L.S, B.D, R.S, D.Z, M.Gj, L.C, B.F, M.K., akuzohen se, në cilësinë e personave me përgjegjësi komanduese, gjatë periudhës janar – qershor 1999, kanë qenë të përfshirë në dëbimin e dhunshëm të popullsisë civile shqiptare nga territori i Kosovës.
Sipas aktakuzës, gjatë kësaj periudhe, të pandehurit kanë qenë në dijeni se forcat nën komandën e tyre po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar që përfshijnë: shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpi8ve, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës.
Nga hetimet ezkiston dyshimi i bazuar mirë se si rezultat i këtyre veprimeve, rreth 862,979 civilë shqiptarë janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre drejt kufijve me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
21 të pandehurit akuzohen se nuk ndërmorën masat e nevojshme që ishin në kompetencën dhe përgjegjësinë e tyre për të parandaluar kryerjen e këtyre veprimeve, për t’i penguar apo për të ndëshkuar autorët ose për të raportuar aktet e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse.
Në mbështetje të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për t’i vënë para përgjegjësisë kryesit e këtyre veprave penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.