Sot bëhen pesë vjet nga dorëheqja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe arrestimi i tij së bashku me ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Më 5 nëntor 2020, Thaçi njoftoi publikisht dorëheqjen nga pozita e presidentit të Kosovës, duke deklaruar se ky hap ishte në funksion të ruajtjes së integritetit institucional dhe të partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar në prill të vitit 2023. Një numër i madh dëshmitarësh – mbi 100 sosh – janë thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila ka paraqitur afro 3 mijë prova materiale. Aktakuza përfshin akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim të qindra civilëve gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria në prill 2025, procesi tani ka kaluar në fazën e mbrojtjes. Dëshmitarët e parë të mbrojtjes, përfshirë ish-ndihmëssekretarin amerikan të shtetit James Rubin, ish-këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës në Rambuje Paul Williams dhe ish-diplomatin britanik John Duncan, kanë deklaruar se Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet të plotë komandues mbi UÇK-në dhe se struktura e saj ka qenë e fragmentuar, me vendimmarrje të shpërndarë në terren.
Gjykimi po shkon drejt fazave përfundimtare, ndërsa mbrojtja vazhdon paraqitjen e dëshmive dhe argumenteve të saj. Parashikohet që vendimi final të merret pas përfundimit të seancave dhe vlerësimit të trupës gjykuese.
Dhomat e Specializuara u krijuan pas raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2010 dhe hetimeve të mëvonshme ndërkombëtare, me qëllim trajtimin e akuzave të pretenduara për krime të luftës. Formimi i gjykatës është shoqëruar me debate të gjera dhe kundërshtime brenda Kosovës, ku gjatë viteve të fundit janë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe protesta të tjera janë paralajmëruar.

