Kandidati i PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve lokale, duke uruar Ramiz Lladrovcin për fitoren dhe duke shprehur falënderim për qytetarët që e mbështetën gjatë fushatës.
Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari e ka quajtur garën “jashtëzakonisht demokratike” dhe ka theksuar se ka bërë gjithçka për të sjellë një qeverisje të mirë për Drenasin.
“Ju falemnderit nga zemra të gjithëve për garën e jashtëzakonshme e demokratike që zhvilluam bashkërisht dje. Përgjatë kësaj fushate, kam bërë të gjitha përpjekjet njerëzore për t’i sjellë Drenasit një qeverisje të mirë në të cilën kam besuar fort,” ka shkruar ai.
Hajdari shtoi se respekton vendimin e qytetarëve dhe uroi kundërkandidatin për suksesin në zgjedhje:
“Kundërkandidatin tim, Ramiz Lladrovcin, e uroj për fitoren dhe shpresoj që Drenasi të përjetojë zhvillim e suksese.”
Ai e përmbylli reagimin me një mesazh simbolik:
“Drenasin e dua edhe kur nuk fitoj.”