Në raportin e tij të parë si raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, eurodeputeti kroat Tonino Picula ofroi një pasqyrë të ashpër dhe shqetësuese mbi gjendjen politike dhe demokratike të këtij vendi. Ai tha se rënia tragjike e një strehëz urbane në Novi Sad, ku humbën jetën 16 qytetarë, është kthyer në simbol të një sistemi të kalbur nga korrupsioni, nepotizmi dhe mungesa e kontrollit institucional.
Raporti thekson se Serbia po përjeton mungesë të lirisë së mediave, drejtësi të kapur dhe selektive, si dhe një ambient politik ku zërat kritikë persekutohen publikisht. Institucione si REM nuk funksionojnë, ndërsa të dhënat personale të protestuesve bëhen publike dhe ndaj tyre përdoren mjete të paligjshme, për të cilat Picula thotë se “edhe shërbimet sekrete ruse po hetojnë”.
Në aspektin e politikës së jashtme, Serbia refuzon të harmonizohet me qëndrimet gjeopolitike të BE-së, përfshirë edhe mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo, sipas Piculës, është një pengesë serioze për procesin e integrimit evropian.
Ai shtoi se përkundër investimeve të mëdha nga BE në Serbi, perceptimi publik nuk pasqyron këtë mbështetje, shpesh për shkak të mungesës së transparencës në projekte dhe marrëveshjeve të errëta ekonomike me ndikim politik.
Picula theksoi gjithashtu se BE duhet të marrë përgjegjësinë për qëndrimet kontradiktore dhe mungesën e angazhimit të drejtpërdrejtë, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Ai u shpreh veçanërisht mbështetës ndaj studentëve serbë që po ecin drejt Brukselit dhe Strasburgut, si simbol i shpresës për një të ardhme më demokratike:
“Zëri i tyre është më i fortë se çdo propagandë. Janë e ardhmja e Serbisë. Dhe mënyra si qeveria i trajton, tregon më shumë se çdo program politik.”
Picula e mbylli fjalën e tij me një thirrje të qartë: rruga drejt BE-së nuk është automatike – ajo kërkon reforma të thella, respekt për vlerat evropiane dhe një ndarje të qartë nga politikat autoritare.
Mesazhi i BE-së është i qartë: Serbia duhet të zgjedhë mes një Evrope demokratike dhe një rruge që e izolon nga bashkëpunimi ndërkombëtar.