Me afrimin e eventit Made by Google 2025, po shtohet pritja rreth serisë Pixel 10, e cila do të arrijë dukshëm përpara iPhone 17. Eventi i Apple për pajisjet pritet të mbahet në shtator.
Google ka bërë të qartë se synon ta zgjerojë linjën Pixel, duke integruar më shumë aftësi të inteligjencës artificiale gjenerative me Gemini. Made by Google do të mbahet më 20 gusht, në orën 10:00 PT.
Google prezantoi disa përditësime të AI-së në konferencën e zhvilluesve në maj, por pritet që në këtë event të tregojë edhe më shumë veçori të Gemini-t. Në një video promovuese në YouTube për pajisjet e reja, Google duket se talli Apple për premtimet e dështuara rreth Apple Intelligence në iPhone. Një nga funksionet më të përfolura është “Camera Coach”, që lejon Gemini-n të japë këshilla në kohë reale për fotografi më të mira, duke sugjeruar këndet dhe ndriçimin optimal. Po ashtu, ka zëra për një mjet bisedor për montazh fotosh, ku përdoruesi mund t’i thotë Gemini-t çfarë të ndryshojë në një foto, si rritja e ndriçimit, heqja e objekteve apo ndryshimi i sfondit.
Pixel 10, Pixel 10 Pro dhe Pixel 10 Pro XL pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme. Modeli bazë Pixel 10 do të ketë për herë të parë një lente telefoto të dedikuar, një funksion që deri tani ishte vetëm në modelet Pro. Të gjithë telefonat e linjës do të përdorin procesorin e ri Tensor G5, që sjell përmirësime në performancë dhe efikasitet krahasuar me Tensor G4. Dizajni do të mbetet i ngjashëm me Pixel 9, me ekran 6.3 inç për Pixel 10 dhe 10 Pro, dhe 6.8 inç për Pixel 10 Pro XL. Modelet Pro mund të marrin përmirësime në cilësinë e kamerës dhe videos, bateri më të mëdha dhe karikim më të shpejtë.
Për Pixel 10 Pro Fold, thashethemet thonë se do të ketë një ekran mbulues më të madh prej rreth 6.4 inç dhe një ekran kryesor 8 inç. Hinge-i do të jetë më i fortë, bezela më të holla dhe pajisja mund të marrë për herë të parë certifikimin IP68, që e bën rezistente ndaj pluhurit dhe ujit. Do të përdorë gjithashtu çipin Tensor G5 dhe do të ketë veçoritë më të fundit të Gemini-t. Sistemi i kamerës mund të përmirësohet me një lente ultra-wide prej 48 megapikselësh dhe një lente telefoto me 5x zoom optik. Pritet gjithashtu jetëgjatësi më e madhe e baterisë. Modelet mund të vijnë në ngjyrat Moonstone dhe Jade.
Edhe pajisjet e tjera të linjës Pixel do të marrin vëmendje. Pixel Watch 4 thuhet se do të ketë dizajn më të trashë, bateri më të gjatë dhe bezela më të vogla, si dhe funksione të reja për shëndetin dhe fitnesin, duke përfshirë një matës të përmirësuar të oksigjenit në gjak (SpO2). Për Pixel Buds 2a pritet të ketë ngjyra të reja si Fog Light, Hazel, Iris dhe Strawberry, me anulim aktiv të zhurmës. Pixel Buds Pro 2 do të dalë me ngjyrën e re Sterling.