Ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala, do t’i vuajë 13 vjet burg. Ky është vendimi përfundimtar nga Gjykata Supreme në Hagë, e cila konstatoi se nuk ka pasur ndonjë shkelje në aktgjykimin e Apelit.
Megjithatë, në vendimin e Supremes Speciale, një detaj është ai që merr vëmendjen.
Pjetër Shala u dënua për një vrasje të cilën edhe trupi gjykues e konstatoi se nuk e kishte kryer Shala personalisht. Megjithatë, precedenti i krijuar nga vendimi i Supremes, del të jetë i rrezikshëm.
Mbrojtja e Shalës theksoi faktet të cilat u shpalosën gjatë gjykimit lidhur me këtë vrasje.
“Z. Shala pohon se Trupi Gjykues në mënyrë të papërshtatshme ia zgjeroi përgjegjësinë penale për vdekjen e viktimës atij përmes Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, edhe pse ai nuk luajti një rol thelbësor në vrasje. Mbrojtja argumenton se Trupi Gjykues u mbështet në tre elementë të gabuar për t’ia atribuar vrasjen planit të përbashkët. Së pari, ai e lidhi vrasjen me keqtrajtimin e të paraburgosurve, edhe pse Z. Shala nuk ishte i pranishëm gjatë të shtënave, që do të thotë se akti nuk mund t’i atribuohej planit të përbashkët. Së dyti, Trupi Gjykues u mbështet në prova të paverifikuara dhe të pakonfirmuara se Z. Shala dikur kërcënoi një të paraburgosur”, thuhej në ankesën e mbrojtjes së Shalës, raporton Nacionale.
Megjithatë, Supremja e rrëzoi duke theksuar se Pjetër Shala është fajtor, edhe pse nuk e ka kryer vrasjen. Kjo pasi vrasja ka ardhur si pasojë e qëllimit kriminal që e kishte “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale”, pra Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Për shembull, Paneli vëren se Z. Shala nuk merret me ose nuk i referohet gjetjeve të Panelit të Apelit. Në vend të kësaj, ai kundërshton atribuimin e Panelit Gjykues të NPK-së I drejt atij si mënyrë përgjegjësie për vdekjen e viktimës, pa identifikuar megjithatë nëse ky kundërshtim përbën një gabim të dyshuar ligjor apo një shkelje të konsiderueshme procedurale sipas kuptimit të Nenit 48(7) të Ligjit.286 Parashtrimet e Mbrojtjes theksojnë në vend të kësaj se Z. Shala nuk ishte autori i drejtpërdrejtë i vrasjes dhe se individë të tjerë luajtën një rol më të madh në ngjarjet që çuan në vdekjen e viktimës”, thuhet në vendim.
“Paneli vëren në këtë drejtim se Mbrojtja kundërshton gjetjet faktike të Panelit Gjykues dhe vlerësimin e tij të rolit dhe qëllimit kriminal të Z. Shala brenda planit të përbashkët, në vend që të identifikojë një gabim specifik ligjor në zbatimin e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale I Paneli vëren më tej se pjesa tjetër e argumenteve të Z. Shala janë thjesht të natyrës provuese. Z. Shala thjesht nuk pajtohet me gjetjet e dyshuara faktike pa u angazhuar me to siç kërkohet nga Neni 48(7) i Ligjit dhe standardi i shqyrtimit të përmendur më sipër”, thuhet në vendim.
Për këtë vrasje, kishte folur edhe Pjetër Shala në një intervistë ekskluzive kohë më parë për Nacionalen.
“Unë nuk e kam bërë atë për të cilën akuzohem. Jam i pafajshëm për gjithçka. Por dënimi im për këtë vrasje veçanërisht i papranueshëm për mua. Në të vërtetë mënyra se si pretendohet se është kryer kjo vrasje, dhe shpjegimet në lidhje me të kanë ndryshuar plotësisht gjatë viteve. Në fund, konkluzionet e mjekëve ligjore që kanë parë dosjet janë në kundërshtim me shpjegimet që ishin dhënë më parë. Disa dëshmitarë të prokurorit, shpjeguan se, ndryshe nga sa pretendon, gjërat nuk ndodhën absolutisht ashtu siç është thënë. Elementet e disponueshme sot kanë bërë që disa gjyqtarë të shpallin të pafajshëm dy persona që ishin akuzuar për të njëjtën vrasje. Por mua, të njëjtat informacione më kanë çuar të shpallem fajtor për këtë vrasje. Dhe pjesa më e keqe është se nuk mund të shpjegoj se gjithçka që është anormale në këtë rast, sepse masat mbrojtëse të shpallura nga gjyqtarët më pengojnë të flas për këtë dhe të di të gjitha anomalitë specifike të mënyrës se si u shpalla fajtor. E gjithë kjo duhet të mbetet sekret, përndryshe rrezikoj të dënohem përsëri edhe më rëndë. Eshtë edhe më e paarsyeshme që sot të gjithë më në fund bien dakord të pranojnë se un nuk jam autor i të shtënave që përfundimisht shkaktuan vdekjen e personit të ndjerë. Më bëhet vërejtje se nuk kam organizuar kujdesin e nevojshëm për plagët e pësuara nga personi i plagosur, por në të njëjtën kohë askush, absolutisht askush, nuk pretendon se unë kam marrë pjesë në këtë vendim për të mos bërë asgjë, ose se kam qenë i pranishëm gjatë diskutimit të tij. Më falni, por nuk mund ta pranoj të gjykohem në kushte të tilla”, deklaronte ai.

