Gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, tha se për të akuzuaren Pacolli – Dalipi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim mirëpo shërbimi policor nuk e ka realizuar kërkesën ashtu siç duhet pasi që urdhëresa ka qenë për datën e sotme, ndërsa gjykata ka pranuar një raport ditën e djeshme se e akuzuara nuk ka qenë në vendbanimin e saj. Lidhur me këtë, Sadikaj tha se për të akuzuarën Pacolli – Dalipi do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim në seancë, dhe eventualisht do të shqyrtohet mundësia e udhërarrestit apo paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Megjithatë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, përmes një reagimi në Facebook ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për seancë për çështjen e gazit lotsjellës, pak pasi u bë e ditur nga kjo gjykatë se Policia ka dështuar ta sjellë me detyrim në seancë. E njëjta madje filloi sulmet ndaj mediave për lajmin e dhënë.
“Gjykata e ka adresën time të banimit dhe e di saktësisht ku banoj. Nëse vërtet kanë dërguar një ftesë dhe nuk më kanë gjetur në shtëpi, është obligim ligjor i shërbimit policor apo postës që të lënë një njoftim për praninë e tyre, qoftë për të caktuar një datë tjetër, qoftë për të më njoftuar që të paraqitem në gjykatë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Pacolli ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë dhe i pret procedurat e njoftimet zyrtare.
Në këtë seancë, prezent ishin i akuzuari Xhelal Sveçla me avokatin e tij Laur Prenaj, e akuzuara Drita Millaku me avokatin e saj Veton Robaj, mbrojtësi i Pacolli-Dalipit- avokati Lavdrim Salihu, si dhe i akuzuari Salih Zyba i cili kërkoi nga Gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve. Po ashtu, prezent ishte edhe prokurori Valdrin Krasniqi.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për një datë tjetër.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.