Policia e Kosovës ka intervistuar një person që publikisht pretendonte se ofronte trajtime për “shërimin e autizmit”, pas raportimeve në media dhe reagimeve të shumta nga qytetarët dhe ekspertët shëndetësorë.
Sipas raportimeve, personi në fjalë i njohur edhe si konspiracionist Arianit Sllamniku prezantohej si mjek dhe u premtonte familjeve të fëmijëve me autizëm trajtime të suksesshme, duke kërkuar pagesa të larta financiare. Këto pretendime kanë ngritur shqetësime serioze, pasi autizmi nuk konsiderohet sëmundje që mund të shërohet, por një çrregullim neurozhvillimor që kërkon mbështetje profesionale dhe afatgjatë.
Autoritetet kanë konfirmuar se rasti po trajtohet dhe se intervistimi është pjesë e verifikimeve për dyshime mbi mashtrim, keqpërdorim dhe dhënie të shërbimeve mjekësore pa bazë shkencore apo ligjore.
Ekspertët e shëndetit publik vazhdimisht kanë paralajmëruar se pretendimet për “kura” ndaj autizmit janë të rrezikshme dhe mund të dëmtojnë fëmijët, si dhe të shfrytëzojnë emocionalisht dhe financiarisht familjet e tyre.
Policia ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e trajtimeve të pakonfirmuara dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë tek organet kompetente.
Rasti mbetet në trajtim./Qendra.INFO

