Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar arrestimin e A.I., i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Golluboc të Malishevës, ngjarje e cila ndodhi të enjten.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar mëngjesin e sotëm në fshatin Pllaqicë, ku është gjetur i plagosur me armë zjarri. Ai ka marrë trajtim fillestar mjekësor dhe është dërguar për mjekim të mëtejshëm në QKUK.
“Dyshohet që është plagosur gjatë përleshjes me viktimat. Të dyja palët kanë përdorur armë”, deklaroi drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, konfirmoi se gjendja shëndetësore e të dyshuarit është stabile, ndërsa trajtimi i tij do të vazhdojë në Kirurgjinë Abdominale.
I dyshuari është dhëndri i viktimave. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi ai kishte shkuar të merrte bashkëshorten, e cila po qëndronte te familja pas vdekjes së babait. Ndaj tij ka një aktakuzë aktive për dhunë në familje nga muaji mars.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të kërkojë masën e paraburgimit për të.

