Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion ku është zbuluar një laborator droge për kultivimin e kanabis sativa. Gjatë operacionit janë arrestuar dy persona, ndërsa janë asgjësuar rreth 300 bimë.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit M.M. dhe I.M. kanë kultivuar bimët pa autorizim, me qëllim prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar mbi 700 vazo, pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, si dhe sasi të vogla marihuane dhe kokaine. Po ashtu, janë konfiskuar një armë me 29 fishekë, një veturë “Hyundai” pa targa dhe një furgon që dyshohet se janë përdorur për transport.
Të dyshuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë kultivimin dhe shpërndarjen e narkotikëve si dhe posedimin e paautorizuar të armëve.
Ata ndodhen në ndalim 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit.

