Izraeli ende nuk është përjashtuar nga UEFA dhe FIFA, ndonëse luftimet në Gaza vijojnë. Në dallim, Rusia u përjashtua nga të gjitha nivelet e futbollit dhe më gjerë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Por, pse ky ndryshim mes dy vendeve dhe kjo “përkëdhelje” për Izraelin? Përgjigjja e kësaj pyetjeje vjen nga vetë mediat izraelite.
Sipas një raporti nga “Israel Hayom”, “nën presionin e fortë të SHBA-ve dhe atë diplomatik, Izraeli shmangu përjashtimin e menjëhershëm nga UEFA”.
Për kontekst, Rusia pati një përjashtim në shkallë të gjerë dhe të menjëhershëm nga garat sportive kur nisi luftën në Ukrainë. Sanksione mori edhe Bjellorusia, e cila mbështeti Rusinë.
Por, Izraeli ende po i reziston përjashtimit dhe për momentin, do të qëndrojë në garat evropiane, me Maccabi Tel Aviv që do të luajë në Europa League sipas planit.
Vetë ekipi Kombëtar i Izraelit është i përfshirë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Megjithatë, UEFA do të mblidhet javën e ardhshme për të vendosur për fatin e Izraelit.
Sipas gazetës britanike, “The Times”, shumica e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s janë në favor të një përjashtimi për Izraelin, pas gjetjeve të një komisioni hetimor të Kombeve të Bashkuara që akuzon izraelitët për gjenocid në Gaza.
Kujtojmë se Izraeli është anëtar i UEFA-s që nga viti 1994.
Për më tepër, “The Times” zbuloi se disa klube evropiane kishin pyetur nëse ishte e mundur të shmangnin ndeshjet kundër ekipeve izraelite.
Një pezullim i mundshëm nga UEFA do të ushtronte presion edhe mbi FIFA-n, e cila do të duhej të merrte një qëndrim.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e gjen veten në një situatë delikate. Lidhjet e tij të ngushta si presidentin e SHBA-ve Donald Trump janë të njohura publikisht.
Administrata Trump thuhet se është fuqimisht kundër përjashtimit të Izraelit nga Kupa e Botës 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Kjo, ndonëse Izraeli ende nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen në fazat finale të turneut.
Po sipas “The Times”, edhe nëse FIFA do të heshtte, një pezullim i mundshëm i vendosur nga UEFA do ta bënte të pamundur që Izraeli të kualifikohej për Kupën e Botës të ardhshme.
Ndërkohë, Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i ka bërë zyrtarisht thirrje FIFA-s dhe UEFA-s që ta pezullojnë Izraelin nga garat ndërkombëtare, duke theksuar se masa duhet të synojë shtetin dhe jo futbollistët individualë, të cilët nuk duhet të penalizohen për vendimet e qeverisë.