VV-ja vendosi të shkel fjalët e saja, dhe të trokas në dyert e “hajvanëve”, tek LDK-ja fillimisht. Por me sa duket shpresat edhe kjo parti po ia këput.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e konfirmoi sot se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.
Kështu që sipas tij janë dy skenare.
“E kemi pasur qëllimin [t’i sigurojmë] 500 mijë vota. Nuk i kemi arritur ato. Tash është një skenar tjetër. Është skenari B”, deklaroi Konjufca.
Nga “hajvana”, kjo parti po e përmend opozitën me “dashuri”.
Konjufca deklaroi sot para mediave se është i gatshëm për t’i zgjatur duart.
“Letra me sa kam njohuri i është drejtuar vetëm LDK-së. Kurse gjuhën do ta përdorim, gjuhë të bashkëpunimit, partneriteti, sepse ju mund ta merrni parasysh, merrni me mend, tensionet e polarizimet që ndodhin gjatë fushatës, e të cilat i kemi pas edhe në legjislaturën e 8, në fund të fundit të gjithë zgjohemi në mëngjes, e shohim rezultatin e zgjedhjeve, dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet në urrejtje e dashuri”, ka thënë ai.
Pavarësisht rënies që pësoi, VV-ja e dëshiron gjithqysh karrigen e kryeminstrisë dhe pushtetin, me apo vetëm.
Nënkryetarja e VV-së, Albulena Haxhiu tha se ose do ta bëjnë Qeverinë, ose zgjedhje të reja.
“Ne po presim që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, ju e dini që Qeverinë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje, dhe në anën tjetër nuk mendoj që mundet opozita si e vetme, prandaj duke qenë kështu ose e bëjmë Qeverinë ose shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar ajo para mediave.
Ndërkohë, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se me Vetëvendosjen ekziston një hendek i madh.
E pyetur nëse LDK-ja do ta pranojë ftesën për pjesëmarrje në takim me Kurtin, Kica-Xhelili tha se vendimin për këtë e merr vetë kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.
Ndërsa, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, nuk dha një përgjigje të prerë nëse do të pranonin një ftesë për takim në rast se ajo do të vinte nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ismaili tha se në këtë fazë i takon fillimisht partisë së parë që të provojë funksionalizimin e institucioneve të reja. Në rast se ajo dështon, atëherë, sipas tij, Bedri Hamza mund t’i sigurojë votat e nevojshme .
“Ne kemi një pozicion jashtëzakonisht të qartë dhe një besim të madh, me një kandidat si [Bedri Hamza] që arrin ta krijojë një shumicë, nëse ka një paaftësi të partisë së parë për ta formuar qeverinë,” deklaroi Ismaili.
Ndryshe, nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Në mënyrë që Kuvendi të konstituohet, kandidatin e saj për kryeparlamentar duhet ta mbështesin së paku 61 deputetë, aq sa nevojiten edhe për formimin e Qeverisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit./Periskopi