Tiranë, 17 tetor 2025 – Qytetarë nga Presheva janë nisur sot në mëngjes drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare me moton “Liri për Çlirimtarët”, që do të mbahet në orën 17:00 në kryeqytetin shqiptar.
Në kolonën e automjeteve që po udhëton drejt Tiranës është shpalosur një baner me mbishkrimin “Presheva është me ju”, si shenjë solidariteti me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Në mesin e qytetarëve nga Presheva është edhe zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për protestën dhe për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë.
Protesta e sotme pritet të mbledhë pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, me qëllim që të dërgohet një mesazh uniteti dhe përkrahjeje për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Ngjarja do të zhvillohet në orën 17:00 në qendër të Tiranës, ku pritet pjesëmarrje e shoqatave të veteranëve, qytetarëve dhe figurave politike nga të gjitha trojet shqiptare./Qendra.INFO