Preshevë – Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, ka njoftuar se bashkë me stafin e tij dhe një pjesë të anëtarësisë së partisë do të marrin pjesë në protestën e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, e cila do të mbahet më 7 gusht në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka theksuar se lufta e popullit shqiptar, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga e gjithë bota. Ai ka kritikuar proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar ato si politike dhe të ndikuara nga Rusia e Serbia.
“Drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të bazohet në procese politike të imponuara nga Rusia dhe ‘dëshmi’ të servuara nga Serbia. Mbështesim protestën si shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që më 7 gusht, në orën 17:00, të bashkohen në protestë në kryeqytetin e Kosovës, si një mesazh i fuqishëm për drejtësinë dhe lirinë.