Policia në Preshevë, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Vranjë, ka arrestuar A.A. (23) nga komuna e Preshevës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të grabitjes.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 10 janar të këtij viti, kur i dyshuari fillimisht ka ndjekur një punonjës 30-vjeçar të një këmbimoreje në rrugë, e më pas e ka kapur duke e kërcënuar me një objekt që i ngjante armës, me qëllim që t’i marrë çelësat e këmbimores dhe paratë.
Dyshohet se gjatë incidentit, A.A. ka hedhur një objekt drejt punonjësit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, dhe më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Policia ka reaguar shpejt duke e identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin. Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur një plumb i vërtetë, ndërsa është sekuestruar edhe maska që dyshohet se është përdorur gjatë tentativës për grabitje.
Përveç veprës penale të grabitjes, ndaj A.A. do të ngrihet kallëzim penal edhe për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve shpërthyese, në Prokurorinë e Lartë Publike në Vranjë.
Me urdhër të prokurorit publik kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe më pas do të dërgohet në prokurori së bashku me kallëzimin penal./Qendra.Info

