Shefja e shteti nesër do të takojë liderët e partive politike me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit dhe tejkalimin e krizës politike.
Ndryshe nga hera e fundit, gazeta Nacionale ka mësuar se kësaj radhe presidentja Osmani liderët do t`i takojë në mënyrë individuale.
Ajo do të bisedojë sy me sy me kryetarët e partive politike për gjetjen e një zgjidhje.
Gazeta ka mësuar se kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, Osmani do ta takojë në ora 13:30.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se nesër do të ketë takim te presidentja Vjosa Osmani.
Ai ka treguar se cili do të jetë qëndrimin i PDK-së në këtë takim.
“Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek preisdetja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneqësisë politike të VV-së“, ka thënë Krasniqi.
Gazeta ka mësuar se pas Krasniqit, Osmani do ta takojë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurse, në ora 16:00, Osmani do ta takojë liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërsa, takimet me liderët e partive të komuniteteve pakicë Osmani do t` organizojë një ditë më pas.
Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balja, ka konfirmuar se ka marrë një ftesë nga presidentja Vjosa Osmani.
Ajo ka treguar se takimi me Osmanin do të mbahet të enjten në ora 11:30.
Me qëllim të daljes nga kriza, presidentja Osamni kishte takuar liderët politik edhe më 15 maj. Aso kohe ajo liderët i kishte takuar në një takim të përbashkët.
Pas takimit me Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinaj, ajo kishte përgëzuar ata për konstruktivitetin.
“Dua t’i përgëzoj liderët për qasjen e tyre konstruktive në këtë takim, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërrmuese të temave. Secili prej tyre tregoi vullnet të mirë për një zgjidhje përpara, që të konstituohet kuvendi sa më parë”, kishte thënë Osmani.
Ajo kishte paralajmëruar se nëse është e nevojshme do t’i takonte sërish deputet.