Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Prishtina Mall merr 75 milionë euro kredi për të mbijetuar financiarisht

Enesa Veseli by Enesa Veseli
23/11/2025
in Lajme
0
Prishtina Mall merr 75 milionë euro kredi  për të mbijetuar financiarisht
0
SHARES
96
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Prishtina Mall, qendra më e madhe tregtare në Kosovë, ka përfituar një kredi prej 75 milionë eurosh nga International Finance Corporation (IFC), pjesë e Bankës Botërore, me qëllim të shlyerjes së borxheve të ndërtimit dhe stabilizimit financiar të projektit. Marrëveshja u nënshkrua ditë më parë dhe u shoqërua me një gala mbrëmje ku morën pjesë personalitete të biznesit, politikës dhe botës së showbizit.

Drejtori i Prishtina Mall, Fatmir Zymberi, tha gjatë eventit se marrëveshja me IFC-në është “një arritje e madhe” për qendrën tregtare, duke e paraqitur si hap drejt investimeve të reja. Ai deklaroi se kredia do të përdoret për standardizime të brendshme, certifikime, instalimin e paneleve diellore dhe përgatitjen e hapësirave për brende të reja.

Megjithatë, dokumentet zyrtare të IFC-së tregojnë se një pjesë e madhe e kredisë do të shërbejë edhe për shlyerjen e detyrimeve të vjetra të ndërtimit, përmirësimin e efikasitetit operacional dhe rifinancimin e kapitalit ekzistues. Në dosjen e IFC-së thuhet se financimi do të përdoret për:

  • shlyerjen e detyrimeve ndaj kontraktorëve të ndërtimit;

  • përshtatjen e hapësirave për qiramarrës të rinj;

  • instalimin e paneleve diellore;

  • uljen e kostove të funksionimit;

  • rifinancimin e borxheve të vjetra me kushte të reja.

Kjo konfirmon se kredia nuk është vetëm për zgjerim, por edhe për mbijetesë financiare.

Borxhe nga ndërtimi dhe rifinancim i domosdoshëm

Burime brenda industrisë së ndërtimit thonë se Prishtina Mall ende nuk i ka shlyer plotësisht borxhet ndaj disa kontraktorëve, ndërsa të ardhurat nga qiratë kanë rezultuar më të ulëta se pritjet. Kjo për shkak të marrëveshjeve të favorshme për brendet e huaja dhe faktit se tregu kosovar i konsumit është shumë më i vogël sesa kapaciteti gjigant i objektit.

Duke folur për financimin, Zymberi tha se bankat kosovare nuk e kishin marrë përsipër projektin në fazën fillestare për shkak të rrezikut të madh, prandaj financimi ishte bërë “në mënyrë indirekte” përmes kompanive të tjera të aksionarëve.

Sipas dokumenteve të IFC-së, projekti klasifikohet me “Bank Risk Rating: B”, që nënkupton rrezik të mesëm por të menaxhueshëm.

Një projekt ambicioz, por i mbingarkuar financiarisht

Prishtina Mall u hap me bujë në mars të vitit 2023 dhe u prezantua si qendra më e madhe tregtare në Evropën Juglindore, me 115 mijë metra katrorë hapësirë dhe mbi 200 njësi biznesi. Por vetëm dy vite pas hapjes, qendra përballet me vështirësi financiare të dukshme.

Ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë këtë situatë të zakonshme për projektet gjigante që nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura të qëndrueshme në raport me shpenzimet dhe borxhet.

A do të mjaftojë kredia?

Zymberi mohoi se Prishtina Mall po përballet me krizë financiare, duke thënë se “asnjë bankë nuk jep kredi nëse ke krizë”, ndërsa përdori një metaforë të njohur: “Banka, kur bie shi ta merr çadrën; kur ka diell, ta sjell për hije.”

Megjithatë, faktet tregojnë se 75 milionë eurot do të përdoren edhe për të shuar borxhet e vjetra dhe për të ruajtur funksionalitetin e qendrës. Nëse Prishtina Mall nuk arrin të rrisë të ardhurat dhe numrin e vizitorëve, barrën e re të borxhit do ta ketë edhe më të vështirë ta përballojë.

Prishtina Mall është në pronësi të 14 aksionarëve kosovarë dhe ishte menduar si simbol i kapitalit vendor dhe modernizimit të konsumit në Kosovë. Por dy vitet e para të operimit kanë treguar se projekti ka nevojë për mbështetje të jashtme për të qëndruar në këmbë./Periskopi

Related

Previous Post

Trafiku Urban: Ndërprerja e transportit do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve

Next Post

Plisat vazhdojnë aksionet kundër kryesisë së KB Prishtina

Next Post
Plisat vazhdojnë aksionet kundër kryesisë së KB Prishtina

Plisat vazhdojnë aksionet kundër kryesisë së KB Prishtina

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.