Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpërndarë një video nga lokacioni i Sunny Hill Festival, duke njoftuar se qyteti është mbushur përplot me vizitorë dhe se nuk ka mbetur asnjë dhomë hoteli e lirë.
Sipas Ramës, këtë vit priten mbi 40 mijë mysafirë nga rreth 60 shtete, duke e shndërruar Prishtinën në një qendër të vërtetë të muzikës dhe kulturës bashkëkohore.
“Sunny Hill i dha zë Prishtinës, Prishtina i dha shpirt festivalit”, ka shkruar Rama në përshkrimin e videos së tij, ku fton publikun të bashkohet në këtë ngjarje madhështore.
Ai theksoi se Dua Lipa, Fatboy Slim dhe shumë emra të tjerë ndërkombëtarë do të performojnë gjatë tri netëve të festivalit, duke premtuar një atmosferë unike që nuk është përjetuar më parë në kryeqytet.
Sunny Hill Festival, që tashmë është bërë simbol i verës në Prishtinë, po dëshmon sërish fuqinë që ka për të tërhequr turistë, për të gjallëruar jetën kulturore dhe për të promovuar qytetin në arenën ndërkombëtare.