Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në një shkollë fillore në Prizren, ku një 12-vjeçar ka plagosur me mjet të mprehtë një vajzë 14-vjeçare pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se viktima është dërguar menjëherë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor nga familjarët e tij.
“Më datë 17.11.2025, rreth orës 12:55, është raportuar për një mosmarrëveshje mes dy të miturve në një shkollë fillore në Prizren, gjatë së cilës njëri prej tyre ka përdorur mjet të mprehtë duke e plagosur tjetrin. Viktima vajzë (14 vjeçare) është dërguar në Emergjencën Spitalore në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. I dyshuari (12 vjeç) është sjellë në stacion policor nga familjarët dhe me të janë marrë hetuesit e delikuencës së të miturve. Të dy janë nxënës të së njëjtës shkollë. Rasti është në trajtim”, ka deklaruar Bytyqi.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

