Një studim i ri në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se adoleshentët që përballen me probleme me gjumin në moshën 14-vjeçare kanë rrezik më të lartë të vetëlëndohen deri në moshën 17-vjeçare.
Hulumtimi, i publikuar në Journal of Child Psychology and Psychiatry, përfshiu mbi 10 mijë të rinj.
Ata u pyetën për kohën e gjumit gjatë ditëve të shkollës, vështirësitë për të fjetur dhe zgjimet gjatë natës, si dhe nëse kishin praktikuar vetëlëndim. Të njëjtat pyetje iu bënë edhe tre vite më vonë.
Rezultatet treguan se adoleshentët që flinin më pak, që zgjoheshin shpesh natën ose që kishin vështirësi të flinin, kishin më shumë gjasa të raportonin vetëlëndim, edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë si depresioni, vetëvlerësimi dhe gjendja socio-ekonomike, shkruan Euronews.
“Problemet me gjumin janë shpesh shenjë paralajmëruese e mendimeve ose sjelljeve vetëvrasëse, prandaj identifikimi i tyre mund të ndihmojë në parandalim të hershëm,” tha profesorja Nicole Tang nga Universiteti i Warwick.
Ekspertët theksojnë se gjumi është një faktor i modifikueshëm dhe përmirësimi i cilësisë së tij mund të ketë ndikim afatgjatë pozitiv në shëndetin mendor të të rinjve.
Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit rekomandon që adoleshentët nga 13 deri 18 vjeç të flenë 8-10 orë çdo natë.