Tiranë – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar për shkak të refuzimit të saj për të lejuar hetuesit të kryenin kontrolle në zyrën e Presidencës, në kuadër të procesit ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Deklarata u bë gjatë promovimit të librit Kur heshtja flet të Ahmet Shala, ku Rama theksoi se Osmani ka qëndruar e palëkundur për dy vite me radhë, duke mos lejuar – sipas tij – “dhunimin e institucionit të Presidencës”.
Sipas kryeministrit shqiptar, prokurorët synonin të kërkonin prova për ato që pretendojnë si “krime kundër njerëzimit”, veprim që, sipas Ramës, do ta vendoste Kosovën në një dritë tejet negative para opinionit ndërkombëtar.
“Kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe për nderin e Kosovës ajo e ka ndaluar një gjë të tillë,” u shpreh Rama, citon A2 CNN.
Duke folur për Dhomat e Specializuara të Kosovës, Rama tha se nuk bëhet fjalë thjesht për individë të veçuar, por për instrumente të një gjykate që, sipas tij, është “edhe më politike se gjykatat e Serbisë në raport me Kosovën”.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vijon të mbetet një nga temat më të ndjeshme politike dhe institucionale në rajon, ndërsa deklaratat e Ramës kanë nxitur reagime dhe diskutime të gjera në opinionin publik./Qendra.INFO

