Prokuroria e Specializuar në Hagë ka refuzuar një sërë provash të paraqitura nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, të cilat lidhen me krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Në dokumentet e publikuara, Prokuroria ka përdorur një gjuhë të ashpër, duke i quajtur “të parëndësishme” masakrat e kryera nga forcat serbe, përfshirë edhe ato në Rahovec.
“Pika 11 duhet të mos pranohet për shkak të mungesës së rëndësisë. Krimet ose dhuna e kryer nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme”, thuhet në argumentimin e saj, ku përmendet një dokumentar i BBC-së mbi krimet serbe në Rahovecin e vitit 1998, i cili përmban pamje grafike të viktimave.
I njëjti qëndrim është mbajtur edhe për një raport mbi vrasjen e një shqiptari në mars 1999. “Pranimi i tij duhet të refuzohet pasi përsërit fakte tashmë të gjykuara dhe ka të bëjë vetëm me krime të serbëve”, vijon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ky vendim ka ngjallur polemika, pasi konsiderohet se nënvlerëson masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë, të dokumentuara gjerësisht nga organizata ndërkombëtare dhe raportime mediatike të kohës.


