Prishtinë, 26 dhjetor 2025 – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj imamit Behar Mjekiqi, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 21 dhjetor 2022, rreth orës 18:45, në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku Mjekiqi bashkëjetonte me gruan e tij të dytë, E.J., me të cilën kishte lidhur martesë sipas riteve islame.
Prokuroria thotë se situata ka eskaluar pasi i pandehuri i ka kërkuar viktimës të largohej menjëherë nga shtëpia, duke e ofenduar dhe kërcënuar. Sipas dosjes së Prokurorisë, ai ka tentuar ta nxjerrë me forcë nga banesa, duke i marrë telefonin për t’ia pamundësuar komunikimin me familjen dhe duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Në aktakuzë përshkruhet se viktima është rrëzuar dhe tërhequr me forcë drejt oborrit, duke pësuar lëndime trupore dhe duke u ndjerë e frikësuar dhe e poshtëruar. Pas largimit nga shtëpia, ajo ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe është dërguar për ekzaminim mjekësor, ku janë konstatuar lëndimet.
Marrëdhënia mes palëve, sipas Prokurorisë, kishte qenë e tensionuar edhe më herët, me ndarje dhe rikthime të herëpashershme.
I pandehuri Behar Mjekiqi ka mohuar ushtrimin e dhunës fizike, duke deklaruar se ka vepruar vetëm për ta “qetësuar” situatën dhe duke pretenduar se viktima ka pasur probleme emocionale. Megjithatë, Prokuroria vlerëson se provat e mbledhura, përfshirë dëshmitë dhe raportet mjekësore, e mbështesin dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale.
Rasti ka nxitur reagime në opinion, edhe për shkak se Mjekiqi, si imam dhe ligjërues fetar, në të kaluarën kishte bërë deklarata publike kundër dhunës në familje, duke theksuar se dhuna ndaj gruas është e ndaluar dhe se gruaja duhet trajtuar si amanet.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në ditët në vijim.

