Mitrovicë, 14 tetor 2025 – Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka nisur hetimet pas dyshimeve për blerje dhe vjedhje të votës në fshatin Shipol gjatë zgjedhjeve lokale të së dielës.
Zëdhënësi i prokurorisë, Valon Preteni, ka konfirmuar për mediat se janë duke u grumbulluar informacione lidhur me pretendimet për keqpërdorim të votave në këtë lokacion.
“Janë duke u grumbulluar informata lidhur me pretendimet për keqpërdorim të votave në këtë lokacion,” tha Preteni për Reporteri.net, transmeton Periskopi.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gara për kryetar të Mitrovicës do të shkojë në balotazh mes kandidatëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes (VV).
Megjithatë, ndryshe nga rezultatet zyrtare, tri Exit Poll-e të publikuara menjëherë pas mbylljes së votimeve më 12 tetor e nxirrnin PDK-në fituese në këtë komunë.
Hetimet e prokurorisë pritet të sqarojnë nëse ka pasur elemente të blerjes apo manipulimit të votave në Shipol, një prej vendvotimeve kyçe në garën për Mitrovicën.