Prodhuesi i njohur i këpucëve “Solid Shoes”, me bazë në Suharekë, po paralajmëron zhvendosjen e një pjese të prodhimit në Kukës të Shqipërisë, për shkak të krizës së vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Ky zhvillim ngre shqetësime për ndikimin e mundshëm në tregun e punës dhe në kapacitetet eksportuese të vendit.
Pronari i kompanisë, Ahmet Kuçi, deklaron se ndërprerjet e shpeshta dhe kostot e papritura e kanë bërë situatën “shumë të vështirë”. Ai kujton se kompania ka paditur operatorin e shpërndarjes së energjisë KEDS, por procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.
Sipas tij, KEK i ka kërkuar një garancion prej 15 mijë eurosh, pa ndonjë shpjegim të qartë, ndërkohë që fatura e fundit ishte 2,200 euro më e lartë se zakonisht. Kuçi dyshon se këto kërkesa po përdoren si bazë për rritje artificiale të çmimit të energjisë.
“Solid Shoes”, që operon prej dy dekadash dhe eksporton mbi 76% të prodhimit të saj në tregjet evropiane, është nën presion të madh për të përmbushur kontratat afatgjata me partnerë ndërkombëtarë. “Ne nuk mund të ndalemi. Prodhimi ynë është i lidhur ngushtë me partnerë evropianë dhe duhet të vazhdojmë pavarësisht kostove shtesë,” u shpreh Kuçi.
Kompania ka mbi 20 vite përvojë dhe punëson qindra punëtorë në Kosovë, ndërkohë që operon edhe me një degë prodhimi në Serbi,rrespektivisht ne Prehsve ku gjithashtu siguron vende pune për dhjetëra punëtorë lokalë. Paralajmërimi për zhvendosje në Kukës shihet si një sinjal alarmi për stabilitetin e industrisë prodhuese në Kosovë, ku energjia e pasigurt mbetet ndër pengesat kryesore për investime.
Ekspertët vlerësojnë se humbja e një pjese të kapaciteteve prodhuese të “Solid Shoes” në Kosovë do të kishte ndikim jo vetëm në punësim, por edhe në bilancin e eksporteve të vendit, pasi kjo kompani renditet ndër kontribuuesit më të qëndrueshëm të sektorit të këpucarisë në tregjet ndërkombëtare.