Të gjithë qytetarët nga Kosova që do të udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e 17 tetorit, do të kalojnë pa pagesë në Rrugën e Kombit gjatë datave 17 dhe 18 tetor.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka njoftuar se kalimi në autostradën “Rruga e Kombit” do të jetë falas për të gjithë udhëtarët që do të marrin pjesë në protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, që po përballen me drejtësinë në Hagë.
“Liria ka emër – Drejtësi për çlirimtarët. Bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK-së,” – ka shkruar Balla në një postim në rrjete sociale.
Protesta e nesërme pritet të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku do të marrin pjesë përfaqësues politikë, veteranë të UÇK-së dhe qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, me thirrjen për drejtësi për çlirimtarët./Qendra.INFO