Qëndron Kastrati, një nga kandidatët për kryetar të Komunës së Kamenicës, ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik duke diplomuar në University College London (UCL), një ndër universitetet më prestigjioze në botë. Ai përfundoi studimet master në drejtimin “Politika e Klimës, Inovacionit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”, duke mbrojtur me sukses temën e tij të diplomës.
Në një reagim publik, Kastrati shprehu emocionet e tij për këtë arritje, duke e cilësuar periudhën e studimeve si një eksperiencë sfiduese, por njëkohësisht të pasur me mësime dhe reflektime të rëndësishme për jetën dhe karrierën e tij.
“Shumë i lumtur që dje i përfundova zyrtarisht studimet master dhe mbrojta temën e diplomës. Sfida, mësime, reflektime, e shumë kënaqësi nga kjo përvojë e rëndësishme jetësore. I falënderoj shumë familjen e miqtë që më mbështetën për durimin dhe kohën gjatë kësaj periudhe sa isha larg e me angazhim. Ua kthefsha për të mirë! Tash 100% përkushtim në punët që po na presin bashkë,” ka shkruar ai.
Kastrati ka qenë aktiv në jetën publike e politike të vendit për vite me radhë, duke mbajtur më parë edhe pozita udhëheqëse në nivel lokal. Me këtë diplomim, ai jo vetëm që përforcon bagazhin e tij profesional dhe akademik, por edhe sjell një dimension të ri në angazhimin e tij politik, sidomos në fushat që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe politikat mjedisore – fusha të cilat janë gjithnjë e më shumë në qendër të debateve moderne politike.
Me përfundimin e studimeve, kandidati për kryetar të Kamenicës ka theksuar se tani do t’i përkushtohet tërësisht sfidave dhe punëve që e presin në skenën politike dhe institucionale, duke lënë të kuptohet se arritjet e tij akademike do të reflektohen në mënyrën e tij të udhëheqjes dhe në vizionin për të ardhmen e komunës.
Kjo arritje e Qëndron Kastratit shihet si një hap i rëndësishëm që e forcon profilin e tij politik dhe profesional, në prag të sfidës për të fituar besimin e qytetarëve të Kamenicës.