Qeveria e Serbisë ka miratuar një vendim me të cilin konstatohet përfundimi i mandatit të Igor Popovićit si ushtrues detyre i ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovë dhe Metohi – Sektori për mbrojtje juridike, mbështetje të vetëqeverisjes lokale dhe çështje pronësore-juridike në Kosovë. Vendimi hyn në fuqi nga 13 gushti 2025.
Popović u arrestua më 18 korrik në pikën kufitare Brnjak pas një fjalimi në Hoçë të Madhe, ku i quajti pjesëtarët e UÇK-së “terroristë”. Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ai pranoi fajin përmes një marrëveshjeje, pas së cilës u dënua me gjashtë muaj burg, të zëvendësuar me 3.000 euro gjobë, deportim dhe ndalim hyrjeje në Kosovë për dy vjet.
Pas kthimit në Serbi, Popović deklaroi se marrëveshjen nuk e njeh, duke thënë se e kishte nënshkruar nën presion. Ministria e Drejtësisë së Serbisë vlerësoi se vendimi i gjykatës në Prishtinë nuk ka efekt juridik në Serbi.