Prishtinë, 07 Tetor 2025 – Pak para zgjedhjeve, Qeveria në detyrë ka marrë një vendim për të ndarë nga 100 euro për çdo student që plotëson kriteret përkatëse. Lajmi u bë i ditur sot nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një mbledhjeje qeveritare.
Kryeministri Kurti tha se kjo masë është pjesë e angazhimit për të ndarë rritjen ekonomike me gjithë qytetarët. “Në kuadër të kësaj, sot miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për studentët, ashtu që ata dhe familjet të kenë më të lehtë përballimin e kostove që lidhen me fillimin e vitit akademik të ri”, deklaroi ai.
Kurti gjithashtu theksoi se kjo është një masë e përhershme dhe një përmbushje e njërit prej premtimeve kryesore të qeverisë, duke përfshirë edhe bursën për mobilitet për studentët bachelor. Ai shtoi se kjo është një mbështetje e vazhdueshme për të rinjtë dhe familjet e tyre.
Vendimi pritet të zbatohet menjëherë dhe përfituesit do të njoftohen në ditët në vijim.