Një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar në Kosovë është shënuar me rastin e njohur si “SkyCC” apo “Qielli i Thyer”, ku deri më tani janë arrestuar 33 persona dhe janë sekuestruar pasuri në vlerë rreth 80 milionë euro.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka bërë të ditur se vlera e konfiskimeve – që përfshin pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe asete të tjera – është e paprecedentë për vendin.
Sipas tij, të gjithë të dyshuarit ndodhen në paraburgim, ndërsa rasti konsiderohet me prioritet të jashtëzakonshëm për organet e drejtësisë.
“Është një rast që nuk ka ndodhur kurrë më parë sa i përket vlerës së sekuestrimeve. Hetimet po zhvillohen me profesionalizëm dhe seriozitet maksimal”, ka deklaruar Isufaj.
Operacioni “Qielli i Thyer”, i lidhur me komunikimet e koduara SkyECC, pritet të zbulojë rrjete të gjera të krimit të organizuar, duke shënuar një moment kyç në luftën kundër kriminalitetit të rëndë në Kosovë./ qendra.info

