Organizata për të drejtat e njeriut Iniciativa A 11 ka njoftuar se do të paraqesë ankesë te Komisionerja për Mbrojtjen e Barazisë për shkak të një deklarate të ministrit për të drejtat e njeriut, Dema Berisha, që ata e konsiderojnë si diskriminuese ndaj komunitetit rom.
Ministri Berisha kishte deklaruar se “romët duhet të kuptojnë që shteti dhe komunat nuk janë bankomatë”, dhe se është “e domosdoshme që ata të punojnë dhe të bëhen anëtarë të dobishëm të shoqërisë”.
Sipas Iniciativës A 11, kjo deklaratë përçon një mesazh të gabuar dhe përforcon paragjykimet ndaj romëve, duke i portretizuar si përfitues të pajustifikuar të ndihmave sociale. Ata theksojnë se ministri ka injoruar problemet sistematike që e pengojnë këtë komunitet të integrohet, si mungesa e qasjes në arsim dhe punësim.
“Ministri flet për ‘bankomat’, por harron që buxheti i shtetit është i mbushur nga të gjithë qytetarët – dhe është aty për të ndihmuar më të varfrit. Ai merr pagë nga po ai buxhet dhe ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Ata shtojnë se është veçanërisht shqetësuese që një ministër që vetë i përket një pakice kombëtare dhe udhëheq një resor për të drejtat e pakicave, përdor një gjuhë të tillë.
Iniciativa A 11 kërkon që Komisionerja për Barazi ta hetojë këtë rast dhe të marrë masa për të mbrojtur të drejtat e komunitetit rom.