22 tetor 2025 — Analisti politik Burim Ramadani ka deklaruar se bllokada mbi gjashtëmujore në Kuvendin e Kosovës është pasojë e mungesës së shumicës parlamentare për formimin e Qeverisë Kurti 3.
Sipas tij, interesat partiake e personale janë vënë mbi ato shtetërore, duke bllokuar funksionimin normal të Kuvendit.
“Krejt bllokada mbi 6 mujore ka vetëm një arsye: mungesën e shumicës parlamentare për ta bërë Qeverinë. As në prill e as në tetor nuk ka shumicë që voton për Qeverinë Kurti 3,” tha Ramadani.
Ai theksoi se nuk pret as ndonjë koalicion të ri dhe as “korruptim të deputetëve” në fund të tetorit, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor mbeten të mundshme, përveç nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme pas ankesës së deputetëve serbë.
“Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme në dhjetor, përveç nëse Kushtetuesja e shtyn procesin,” shtoi ai.
Ramadani paralajmëroi se vendi mund të hyjë në vitin 2026 me një krizë të thellë politike, buxhetore dhe institucionale, nëse nuk arrihet një zgjidhje e shpejtë./Qendra.INFO

