Prishtinë, 19 shkurt 2026 – Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka konfirmuar se kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, është i gatshëm të kandidojë për president të Kosovës në rast se krijohet mundësia për një zgjidhje konsensuale politike.
Në një intervistë për televizionin T7, Haradinaj tha se AAK ka tentuar të sigurojë të paktën 30 nënshkrime deputetësh për të paraqitur një kundërkandidat në zgjedhjet për president, dhe se Ramush Haradinaj do të konsiderohet në këtë proces nëse krijohet mirëkuptim politik mes forcave kryesore.
“Ne kemi insistuar që të kemi 30 nënshkrime dhe të jemi kundërkandidat. Shpresojmë të gjejmë mirëkuptimin,” tha Haradinaj, duke shtuar se kryetari i AAK-së është i gatshëm për këtë rol nëse situata e kërkon.
Ai nënvizoi gjithashtu se pa një marrëveshje politike të gjerë, çdo deputet që qëndron në sallë gjatë votimit për president është “i shitur” dhe nuk bën llogaritje politike, por individuale.
Daut Haradinaj theksoi se aktualisht nuk ka bisedime konkrete për këtë çështje me Partinë Demokratike të Kosovës apo Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke lënë të hapur mundësinë e mëtejshme të dialogut politik./Qendra.INFO

