Një rast i rëndë i dhunës seksuale është raportuar më 31 dhjetor 2025 në Fushë Kosovë, ku një grua rreth 30 vjeçe dyshohet se është dhunuar nga dy persona. Rasti po trajtohet me prioritet nga organet e drejtësisë.
Sipas informatave zyrtare, viktima A.H. ishte njohur me njërin nga të dyshuarit përmes rrjetit social Snapchat, të cilin e njihte vetëm sipas inicialeve L.G. Takimi i tyre i parë fizik kishte ndodhur në një pikë karburanti në rrugën e Pejës, në Fushë Kosovë.
Pas takimit, viktima kishte pranuar të shkojë me të dyshuarin në një motel në Fushë Kosovë. Aty, sipas deklaratës së saj, i dyshuari kishte ftuar edhe një person tjetër. Viktima ka deklaruar se fillimisht i ishte ofruar alkool dhe më pas substanca narkotike, çka e kishte vënë në një gjendje të rënduar fizike dhe psikike.
Në këto rrethana, ajo pretendon se është dhunuar seksualisht nga dy personat e dyshuar. Në përpjekje për t’u larguar, viktima kishte dalë nga dhoma, por ishte ndaluar sërish dhe, sipas deklarimit, ishte futur me forcë në një automjet.
Më pas, ajo dyshohet se është transportuar drejt një zone malore në afërsi të fshatit Llapushnik, komuna e Drenasit, ku të dyshuarit e kanë lënë të braktisur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Viktima është gjetur më vonë nga njësitë policore në afërsi të rrugës së Pejës, ku ka marrë ndihmë të menjëhershme mjekësore. Pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, ajo ka dhënë deklaratë para autoriteteve.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Dhunim”. Viktima është dërguar për ekzaminime në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar janë duke vazhduar./Qendra.INFO

