Një studim inovativ nga Zvicra tregon se qëndrimi pranë njerëzve të sëmurë në një botë virtuale mund të aktivizojë sistemin tonë imunitar – edhe nëse ata njerëz nuk janë real.
Studiuesit e Universitetit të Gjenevës përfshinë 248 të rinj të shëndetshëm në një eksperiment ku ata vendosën kufje të realitetit virtual (VR) dhe u futën në një mjedis të simuluar ku avatarët paraqiteshin me simptoma të dukshme të sëmundjes, si kollë apo skuqje në lëkurë.
Kur këta avatarë “të sëmurë” iu afruan pjesëmarrësve, truri i tyre tregoi rritje aktiviteti në pjesën që njihet si “rrjeti i rëndësisë” (salience network) – një zonë që zbulon rreziqet dhe ndihmon trupin të përgatitet për reagim.
Mostrat e gjakut të marra pas kontaktit me avatarët treguan gjithashtu një rritje të qelizave imunitare të quajtura qeliza limfoide të lindura, që zakonisht aktivizohen kur trupi përballet me patogjenë. Këto ndryshime biologjike ndodhën brenda pak orësh.
“Pritshmëritë tona ishin që reagimet të ishin shumë të lehta,” tha Dr. Camilla Jandus, imunologe dhe autore e studimit. “Por të shohësh ndryshime në qeliza kaq shpejt ishte surprizë”.
Sipas studiuesve, raporton Euronews Health, ky reagim i hershëm imunitar mund të shërbejë si një sistem paralajmërimi i trupit – duke e përgatitur për t’u mbrojtur para se infeksioni të depërtojë realisht.
Edhe pse ende nuk është e qartë nëse kjo përgjigje e shkaktuar nga VR është aq e fortë dhe afatgjatë sa ajo nga vaksinat, studimi sugjeron një potencial të madh për përdorimin e realitetit virtual si mjet ndihmës për forcimin e sistemit imunitar.
Hapat e ardhshëm të ekipit përfshijnë studime mbi efektet e VR në ekspozimin ndaj viruseve dhe baktereve, si dhe për rolin që mund të ketë në përforcimin e reagimit ndaj vaksinave apo në trajtimin e alergjive përmes një lloj “terapie ekspozimi”.
“Qëllimi është që trupi të jetë i përgatitur përpara se të përballet me kërcënimin e vërtetë”, përfundon Jandus.