Pas një ndërprerjeje të shkurtër, sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë rifillojnë seancat gjyqësore në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Seancat e mëparshme u shtynë për shkak të prolongimit të dëshmisë së diplomatit amerikan, Christopher Hill.
Sipas kalendarit zyrtar të gjykatës, Christopher Hill pritet të fillojë dëshminë sot në orën 14:00, ndërsa seanca do të zgjasë deri në orën 17:00. Ai do të vazhdojë paraqitjen e tij në gjykatë edhe gjatë tre ditëve të ardhshme, ku seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 paradite.
Rasti ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po vazhdon në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Të akuzuarit po mbrohen si të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

