Numri i rasteve të reja me HIV në Kosovë ka shënuar rritje gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2025. Sipas Klinikës Infektive në QKUK, deri në fund të korrikut janë regjistruar 19 raste të reja, një shifër që përbën rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Vetëm deri më tani kemi 19 raste të reja. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do ta tejkalojmë numrin prej 29 rasteve sa ishin gjatë gjithë vitit të kaluar,” – tha Murat Mehmeti, shef i repartit në Klinikën Infektive.
Të rinjtë, grupi më i prekur
Rritja e infektimeve po ndodh kryesisht tek të rinjtë, veçanërisht ata mes 20 dhe 30 vjeç, gjë që mjekët e cilësojnë shqetësuese.
“Po e shohim një përqendrim të rasteve tek të rinjtë, që e bën të domosdoshme rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit për HIV-in dhe parandalimin e tij,” – shtoi Mehmeti.
Aktualisht, në Klinikën Infektive është i shtruar vetëm një pacient, por rreth 105 persona në mbarë vendin janë nën trajtim dhe monitorim të vazhdueshëm.
PrEP – terapia parandaluese që po jep rezultat
Nga qershori i vitit 2024, në Kosovë është në dispozicion edhe PrEP (Profilaksia para ekspozimit), një terapi që përdoret për të parandaluar infektimin me HIV përpara kontaktit të mundshëm me virusin. Kjo u mundësua falë përpjekjeve disa vjeçare të organizatave që punojnë me komunitetet në rrezik.
“PrEP-i ka nisur të shpërndahet që nga viti i kaluar, pas një pune 7-8 vjeçare për ta sjellë këtë terapi parandaluese në Kosovë,” – deklaroi Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale.
Sipas tij, terapia është e garantuar deri në fund të vitit 2027 falë një donacioni ndërkombëtar, ndërsa më pas do të jetë Ministria e Shëndetësisë ajo që do ta marrë përsipër furnizimin dhe shpërndarjen.
Thirrje për vetëdijesim dhe testim
Institucionet shëndetësore po i bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve, që të testohen rregullisht për HIV dhe të informohen për mënyrat e mbrojtjes, përfshirë përdorimin e PrEP-it dhe mbrojtjen me prezervativë.
HIV nuk është më një dënim me vdekje, por mbetet një infeksion serioz që kërkon zbulim të hershëm dhe trajtim të vazhdueshëm. Ndërgjegjësimi, edukimi seksual dhe qasja në shërbime parandaluese janë thelbësore për ta frenuar përhapjen.