Në komunat veriore të Kosovës po raportohet për rritje të numrit të votuesve serbë që po votojnë me asistencë, ndërsa dyshohet se pas kësaj fshihet një skemë e organizuar nga Lista Serbe.
Sipas raportimeve të Ekonomia Online, të cilat i transmeton Periskopi, institucionet shëndetësore ilegale serbe që veprojnë jashtë sistemit ligjor të Republikës së Kosovës, kanë lëshuar një numër të madh të vërtetimeve mjekësore, me të cilat qytetarëve u mundësohet votimi me ndihmën e asistentit gjatë procesit zgjedhor.
Këto dokumente, që nuk janë verifikuar nga institucionet zyrtare të Kosovës, dyshohet se janë manipuluar për të ushtruar kontroll mbi votuesit.
Një prej këtyre rasteve është vërtetimi i lëshuar nga Qendra e Mjekësisë në Vrbovac për qytetaren Gordana Jerinic (e lindur më 15.01.1954), ku thuhet se “i lejohet votimi me ndihmën e asistentit për shkak të moshës dhe sëmundjeve shoqëruese”.
Burimet raportojnë se këto raste janë në rritje, ndërsa dyshohet se po përdoren për qëllime politike nga Lista Serbe, e cila synon të ruajë kontrollin mbi komunat veriore.
Më herët, janë publikuar pamje që tregojnë organizim të grupeve të votuesve serbë nën drejtimin e anëtarëve të kësaj partie, të cilët janë parë duke u nisur në mënyrë të koordinuar drejt qendrave të votimit, madje disa prej tyre drejt nga zyrat e Listës Serbe.