Hagë, 3 tetor 2025 – Ish-zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka pasur rol kyç në udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar nga Tribunali i Hagës që të shpallë të pafajshëm ish-krerët e saj.
Deklarata erdhi gjatë një interviste për gazetaren Christiane Amanpour, pas përfundimit të dëshmisë së tij në Hagë. Rubin tha se gjyqi aktual “po fajëson liderët e UÇK-së për çështje që ata nuk i kontrollonin”.
“Ishte shumë e qartë se zotëri Thaçi, një djalë i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë,” tha Rubin, duke shtuar se gjyqtarët në Hagë i kishin bërë pyetje që i dukeshin të anshme dhe jo në kërkim të fakteve.
Rubin tha gjithashtu se procesi ka pasur mungesë balancimi dhe se gjyqtarët duket se kishin parapërcaktuar konkluzionin. Ai u shpreh:
“Ky tribunal duhet të bëjë gjënë e duhur, duhet t’i shpallë ata të pafajshëm, dhe pastaj Shtetet e Bashkuara së bashku me Evropën, duhet të ulen me udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë dhe të rregullojnë këtë problem.”
Ai gjithashtu përmendi shqetësime për situatën në Ballkan, duke theksuar se rajoni është në një situatë “të frikshme”, megjithatë jo një zonë lufte.
Rubin ka qenë një prej zyrtarëve amerikanë që ka dhënë dëshmi pro-Thaçi në gjyqin për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke theksuar rëndësinë e një vendimi të drejtë për të ardhmen politike dhe paqen në rajon.

