Sekretari i Shtetit të SHBA, Marco Rubio, përmes një njoftimi zyrtar në Departamentin e Shtetit të SHBA ka bërë të ditur një ndryshim të madh në mënyrën se si do të menaxhojë ndihmën e huaj, duke i dhënë fund rolit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
“Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara gjatë dekadave, u bë e qartë se USAID ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë.”-thekson Rubio në deklaratë.
Ai shton se, megjithëse USAID kishte “dekada dhe një buxhet të pafund nga taksapaguesit” për të promovuar ndikimin amerikan dhe zhvillimin ekonomik në botë, rezultatet kanë qenë të dobëta.
Në deklaratë thuhet se:
“Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, objektivat e zhvillimit janë rrallë arritur, paqëndrueshmëria shpesh është përkeqësuar, dhe ndjenja anti-amerikane është rritur. Në vitin 2023, vendet e Afrikës nën-Sahariane votuan me SHBA vetëm 29% të kohës në OKB, pavarësisht se kanë marrë 165 miliardë dollarë ndihma që nga 1991. Shpenzimet prej 9.3 miliardë dollarësh në Gaza dhe Bregun Perëndimor kanë krijuar më shumë ankthe sesa mirënjohje ndaj SHBA.”-thuhet në deklaratë.
Rubio kritikon ashpër mënyrën sesi USAID ka funksionuar, duke thënë se agjencia “shpesh promovonte ide dhe grupe anti-amerikane” dhe e kishte modelin e saj të ndihmës si një “bamirësi” dhe jo si instrument të politikës së jashtme që shërben për interesat amerikane.
Nga ana tjetër Rubio njofton se:
“Nga 1 korriku, USAID do të ndalojë zyrtarisht zbatimin e ndihmave të huaja. Programet që përputhen me politikat e administratës do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të ofrohen me më shumë përgjegjësi, strategji dhe efikasitet. Do të prioritizojmë tregtinë mbi ndihmën, mundësinë mbi varësinë dhe investimet mbi ndihmën.”-
Rubio thekson gjithashtu se shumë vende që kanë marrë ndihma janë bërë të varura dhe duan më shumë investime që i fuqizojnë për zhvillim të qëndrueshëm sesa ndihma të vazhdueshme. Ai citoi shembuj nga Afrika dhe Amerika Latine ku qytetarë kërkojnë “të mësojnë të peshkojnë, jo thjesht të marrin peshq”.
Në fund, Rubio shpreh bindjen se kjo reformë do ta vendosë SHBA-në në një pozicion më të fortë kundër modeleve shfrytëzuese të ndihmës, si ai i Kinës, dhe do të sjellë një “epokë të re partneriteti global, paqeje, investimesh dhe prosperiteti.”