Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se “shumë vende” kanë ofruar të bëhen pjesë e forcës ndërkombëtare të sigurisë për Gazën – një element kyç i planit të paqes të presidentit Donald Trump – por theksoi se Izraeli duhet të ndihet rehat me pjesëmarrësit.
Gjatë një vizite në Izrael, Rubio tha se bisedimet për krijimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) janë ende në zhvillim dhe se ajo do të hyjë në veprim “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Megjithatë, mbetet e paqartë se si kjo forcë mund të dislokohet pa një marrëveshje me Hamasin.
Ai përshkroi armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit si “historik”, por paralajmëroi se “do të ketë ngritje dhe ulje gjatë procesit”.
“Nuk ka plan B,” tha Rubio. “Ky është plani më i mirë, i vetmi plan që mund të ketë sukses.”
Rubio shtoi se duhet krijuar një situatë ku Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin apo për vetë popullin e saj.
Ai rikujtoi se lufta nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Si pasojë e ofensivës izraelite që pasoi, janë vrarë mbi 68,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, shifra që OKB i konsideron të besueshme.
Rubio theksoi se Hamasi do të çarmatoset, siç kërkohet nga plani i Trumpit: “Nëse Hamasi refuzon të çmilitarizohet, kjo do të jetë shkelje e marrëveshjes dhe do të duhet të zbatohet me forcë.” Ai përfundoi se “Hamasi nuk mund të qeverisë dhe nuk mund të ketë rol në të ardhmen e Gazës.” /mesazhi

