Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka akuzuar deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, për pengim të një zyrtari në kryerjen e detyrës zyrtare gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas Sallahut, Musliu ka penguar deputetin Avni Dehari gjatë fjalimit të tij, duke e ndërprerë dhe pamundësuar vijimin e diskutimit në mënyrë institucionale. Ai pretendon se me këtë veprim është konsumuar një vepër penale e përcaktuar në Kodin Penal të Kosovës.
“Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka konsumuar veprën penale të sanksionuar me Kodin Penal në fuqi, duke penguar zyrtarin Avni Dehari në kryerjen e detyrave të tij zyrtare,” ka shkruar Sallahu në një reagim publik.
Ai ka ftuar organet e drejtësisë të veprojnë menjëherë:
“Ftojmë Prokurorinë e Shtetit që urgjentisht të merret me rastin konkret! Shteti duhet të funksionojë me çdo kusht dhe në çdo rrethanë!”
Në reagimin e tij, Sallahu ka bashkëngjitur edhe një pamje nga seanca, ku, sipas tij, tregohet qartë pengimi i deputetit Dehari nga ana e Musliut.
PDK deri më tani nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me këto akuza. Ndërkohë, seanca e Kuvendit ku ndodhi incidenti është ndërprerë përkohësisht pas tensioneve mes deputetëve.