Kosova po përballet me një situatë të ndërlikuar në arenën ndërkombëtare: sanksione nga Bashkimi Evropian, pasiguri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe mungesë të theksuar koordinimi ndërmjet institucioneve shtetërore.
Sipas ish-diplomatit Albert Prenkaj, Kosova po përjeton “një asfiksim diplomatik” për shkak të mungesës së strategjisë dhe bashkëpunimit me aleatët perëndimorë. “Ka mungesë totale koordinimi dhe një kakofoni në politikën e jashtme që ka sjellë sanksione”, ka thënë ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të vendimeve të Qeverisë që u vlerësuan si të njëanshme ndaj komunitetit serb. Ndërkohë, SHBA-ja ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke shtuar pasigurinë dhe izolimin ndërkombëtar.
Ndërkohë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani kanë zhvilluar vizita të ndara në SHBA, analistët vlerësojnë se mungesa e agjendave të përbashkëta ka thelluar perceptimin e mospërputhjes në diplomaci.
Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, thotë se Kosova funksionon me “politikë të jashtme ad hoc”, e ndërtuar për konsum të brendshëm politik. “Kemi të bëjmë me garë protagonizmi, jo me vizion shtetëror”, thekson ajo.
Sipas saj, Kosova duhet të përqendrohet në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të rikthejë besimin e aleatëve dhe të kërkojë heqjen e masave të BE-së.
Ekspertët pajtohen se diplomacia kosovare ka nevojë për një qasje të re, të koordinuar dhe pa rivalitete të brendshme. “Shtetet nuk maten me fjalë, por me kapacitete reale. Kosova duhet ta tejkalojë retorikën dhe të veprojë”, përfundon Prenkaj.
Burimi: Radio Evropa e Lirë / Përgatiti: Qendra.info