Irina Çishiç festoi ditëlindjen e saj të parë më 8 tetor 1993. Vetëm katër ditë më vonë, ajo u godit nga një plumb snajperi ndërsa po ecte me nënën e saj në rrugët e lagjes Ciglane të Sarajevës.
“Ndërsa Irina sapo po ecte, gruaja ime Stana po e mbante për dore. Dhe ne kurrë nuk e kuptuam pse ai dikush qëlloi në një objektiv 50-60 centimetrash, sa madhësia e një vajze njëvjeçare, dhe nuk qëlloi në një objektiv të madh, gruan time, e cila ishte shumë më e lehtë për t’u goditur”, tha babai i Irinës, Samir, për Radio Free Europe (RSE).
Për tre dekada, prindërit e kësaj vajze të vrarë kanë kërkuar përgjigje nëse vajza e tyre është vrarë aksidentalisht apo për qejf?
Në ditët e fundit, pikëllimi i tyre është ringjallur nga raportet në median italiane në lidhje me një hetim që po zhvillohet në Milano – për të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës”.
Sipas gazetave Il Giorno dhe La Repubblica, dhe agjencisë ANSA, prokurorët po hetojnë pretendimet se të huajt e pasur paguan shuma të mëdha parash për të qëlluar civilët në Sarajevën e rrethuar – “për qejf” gjatë luftës në Bosnjë.
Zyra e prokurorit të Milanos nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me fazën e hetimit ose kundër kujt mund të jetë nisur.
Qyteti nën snajperë
Gjatë pothuajse katër viteve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave nga shoqatat e viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo fëmijë i dhjetë i vrarë në qytet u godit nga një e shtënë snajperi. Më shumë se 14,000 fëmijë u plagosën.
Pavarësisht kësaj, asnjë snajper i vetëm nuk është mbajtur personalisht përgjegjës – as para gjykatave vendase dhe as ndërkombëtare.
Në vendimet e saj kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Srpska, Tribunali i Hagës arriti në përfundimin se fushata e snajperëve kishte një qëllim – “të terrorizonte civilët e Sarajevës”.
Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit të Hagës, i tha Radios Evropa e Lirë se Tribunali i Hagës ishte në dijeni të ekzistencës së “ekspeditave turistike të vdekjes”.
“Ne e dinim këtë, as nuk di si ta quajmë. Nuk e dinim se si ishte organizuar. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të nisë një hetim gjyqësor dhe që organizatorët të hetohen”, tha për RSE-në Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit të Hagës.
“Safari i Sarajevës”: Një krim që sfidon besimin
Benjamina Kariç, kryetarja aktuale e Bashkisë së Sarajevës së Re, ishte një vjeç kur filloi lufta. Pasi pa dokumentarin “Sarajevo Safari” në vitin 2022, ajo ngriti një padi penale në Zyrën e Prokurorit të Bosnjes-së dhe më vonë në autoritetet italiane.
“E dini, kur dikush mendon për një krim kaq monstruoz, kur dikush mendon se njerëz të pasur erdhën në Sarajevë në fundjavë për të vrarë fëmijët tanë, është gjëja më e zezë që një qenie njerëzore mund të mendojë”, tha Kariç për Radion Evropa e Lirë.
Ajo nuk mori përgjigje deri në mesin e vitit 2025. Pastaj, nëpërmjet qmbasadës së Italisë në Bosnje, ajo dërgoi një shtesë të kallëzimit penal me informacione të reja të ofruara nga gazetari italian Ezio Gavazzeni. Ai u interesua për rastin dhe iu drejtua zyrës së prokurorit në Milano me ndihmën e ish-gjyqtarit Guido Salvini.
“Gjithçka që ka ndodhur kohët e fundit jep një shkëndijë shprese se të paktën një pjesë e drejtësisë do të vihet në vend”, tha Kariç për RSE

